Për shkak të numrit të kufizuar të vendeve në galerinë e publikut dhe numrit të lartë të kërkesave për pjesëmarrje fizike, Dhomave të Specializuara të Kosovës u është dashur kohë shtesë për shqyrtimin dhe konfirmimin e kërkesave.
Në një komunikatë, Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se të gjithë personat që kanë paraqitur kërkesë brenda afatit do të njoftohen përmes postës elektronike.
“Për shkak të numrit të kufizuar të vendeve në galerinë për publikun dhe numrit shumë të madh të kërkesave për pjesëmarrje në këtë seancë, procesi i shqyrtimit kërkon kohë”, thuhet në njoftim.
Sipas tyre, konfirmimet do të dërgohen jo më vonë se dy javë para seancës, ndërsa aplikuesit do të informohen nëse pjesëmarrja e tyre fizike është e mundur, së bashku me çdo informacion tjetër relevant.
Seanca e 16 shtatorit do të mbahet në selinë e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ku pritet të shpallet aktgjykimi në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.